AlbaChat
Këtu Bisedohet dhe Lexohet Shqip...

Stavileci: Teknologjia informative, motor i zhvillimit ekonomik

0 113

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se pa pasur furnizim të rregullt me energji elektrike nuk mund të ketë zhvillim ekonomik. Për ta stabilizuar furnizimin me rrymë, sipas tij, duhet të ndërtohet Termocentrali “Kosova e Re”. Stavileci ka bërë të ditur se së shpejti Kosova do të bëhet për herë të parë me Strategji për IT, si dhe me Fond për Teknologji Informative, që do të ndikojë edhe ne rritjen e punësimit. Ministri ka folur edhe për të ardhmen e Trepçës, PTK-së…

Intervistoi: Lulzim Ahmeti

Telegrafi: E kujt do të jetë Trepça dhe cila do të jetë forma e riorganizimit të saj?

Stavileci: Sa i përket pronësisë së Trepçës, dihet se ajo është e Kosovës, siç janë edhe pasuritë e tjera. Po ashtu kjo çështje është e definuar edhe me Kushtetutë – neni 122 e thotë qartë një gjë të tillë. Edhe gjatë kësaj kohe në pyetje ka qenë ardhmëria ekonomike e Trepçës, pasi që kemi ardhur para një situate e cila na është imponuar, nga një vendim i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, i cili thotë se nëse nuk dorëzohet plani i riorganizimit nga AKP-ja, atëherë më datën 2 shkurt Trepça, do të shkonte në falimentim, e rrjedhimisht edhe në likuidim.

Me këtë do të kishte konsekuencë më të madhe pasi më datën 3 shkurt, ne do t’i kishim mijëra minatorë të Trepçës pa kontrata pune. Për ta parandaluar likuidimin dhe falimentimin e Trepçës, si Qeveri e Kosovës kemi ndërmarrë masa ligjore. Edhe pse kemi pasur disa rrugë, kemi zgjedhur më të shkurtën, ku kemi bërë plotësim ndryshimin e ligjit për ndërmarrjet publike të caktuara, ku kemi zgjatur afatin nga 15 muaj në 36 muaj.

Tjetra çfarë kemi bërë është ardhmëria ekonomike e Trepçës. Së bashku me Kuvendin dhe menaxhmentin e Trepçës jemi dakorduar, për të pasur një Ligj të veçantë për të.

Periudhat kohore nuk janë caktuara, por nuk do të humbim shumë kohë për të pasur ligjin për Trepçën, i cili nuk paragjykon asgjë, por rregullon statusin dhe të ardhmen e Trepçës, i cili do të jetë në të ardhmen një gjenerator i zhvillimit ekonomik, ku punëtorët dhe popullata t’i gëzoj efektet për punën e saj.

Blerand-Stavileci-intervista-foto-ridvan-slivova-03

Pretendimet ndaj Trepçës s’janë të sakta

Telegrafi: Dihet se ka pretendime të kompanive të shumta për borxhet që u ka Trepça që shkojnë deri në 1.4 miliard euro. Sa mund të jenë këto borxhe në realitet?

Stavileci: Pretendimi për borxhe dhe borxhi real, kanë dallime mjaftë të mëdha. Madje gjatë kësaj kohe është ngritur pluhur për Trepçën pa ndonjë arsye dhe me qëllime të caktuara. Këto bënë që mjegulla ta mbulonte problemin real të saj. Pra ato janë pretendime dhe nuk janë borxhe pasi baza e shënimeve është në AKP, e cila administron me Trepçën aktualisht. Nga të dhënat ekzistuese, këto pretendime e tejkalojnë 1 miliard euro. Por pjesa më e madhe e këtyre borxheve, janë të brendshme që shkojnë deri në 900 milionë euro. Borxhet e brendshme të Trepçës janë ndaj punëtorëve dhe të Qeverisë së Kosovës, e cila ka investuar në Trepçë. Pretendimet duhet t’i futen një procesi të verifikimeve – ato do të duhej të saktësohen, por paralelisht duhet të shkohet me strategji dhe ligj që disa pjesë vitale të këtij gjiganti të funksionalizohen.

Ka njësi që janë pasive, të cilat do të duhet t’i futeshin në likuidim dhe nga shitja e tyre të bëhet shlyerja e borxheve eventuale që do të dalin pas verifikimit.

Strategji të re për PTK-në

Telegrafi: Cila do të jetë e ardhmja e Postë Telekomit të Kosovës, pasi siç dihet një proces i privatizimit ka dështuar?

Stavileci: Ka pasur një proces për PTK-në në të kaluarën, i cili nuk ka përfunduar me sukses. Nga ky proces duhet të nxjerrim leksione të cilat do të na shërbenin gjatë punimit të strategjisë së re për të ardhmen e PTK-së. Duhet ditur se dy partnerët e koalicionit dhe partnerët e tjerë qeverisës, si pjesë e programit të ri të Qeverisë, kanë pika konkrete në kuadër të fushës së zhvillimit ekonomik, në të cilën flitet edhe për të ardhmen e këtyre ndërmarrjeve publike. Njëra prej tyre që ka peshën ndoshta më të madhe është PTK-ja. Ne edhe këtu jemi marrë vesh si Qeveri dhe Kuvend, se do rishqyrtojmë strategjinë dhe do ta bëjmë një strategji të re, por nuk mund të paragjykojmë në këto momente se cila do të jetë e ardhmja e PTK-së.

Si Ministri e Zhvillimit Ekonomik, do të shërbehemi nga këshilla profesionale të cilat do të dalin nga një analizë e mirëfilltë e disa prej partnerëve tanë dhe organizatave prestigjioze ndërkombëtare, të cilat kanë përvojë në këto procese e që neve do të na mundësonin të kemi një analizë të mirëfilltë me të dhënat e fundit për PTK-në.

Por gjendja nuk është e mirë jo vetëm për PTK-në, por në përgjithësi tek telefonia fikse, e po ashtu edhe tek ajo mobile, për shkak zhvillimeve teknologjike ku konsumatorët përdorin shërbimet pa pagesë, rrjedhimisht këto shërbime kanë ndikuar edhe në rënien e të hyrave.

Por si pjesë e strategjisë së re për PTK-në nevojitet një ridimensionim. Gjëja kryesore është që ne t’i rivalorizojmë asetet e kësaj kompanie, dhe në fund privatizimin e PTK-së ta bëjmë me format më të mira bashkëkohore pasi që rritet vlera e saj, përfiton shteti por edhe përfitojnë konsumatorët për cilësinë e shërbimeve.

Blerand-Stavileci-intervista-foto-ridvan-slivova-04

Telegrafi: A mund të kemi shtim të konkurrencës në telefoninë mobile, me ndonjë operator të ri?

Stavileci: Në këtë moment nuk ka diçka të tillë që shihet në horizont. Natyrisht nuk mund të jemi të prerë të themi që nuk do të jetë. Mirëpo momentalisht nuk pritet diçka e tillë. Ne do t’i përshtatemi rrethanave dhe zhvillimeve të cilat do të mund të ndodhin në të ardhmen. Pra nuk ka një jo absolute se nuk do të ketë konkurrencë të re në telefonin mobile.

Telegrafi: Cila do të jetë e ardhmja e Korporatës Energjetike të Kosovës, edhe në këtë kohë atje po ka rënie të blloqeve kohë pas kohe?

Stavileci: Me kapacitete aktuale gjeneruese të energjisë nuk qëndrojmë mirë, kemi kapacitete te vjetruara, po ashtu kapacitete që kanë dalë jashtë jetës së funksionimit. Sot po bëhen remonte të ndryshme, sidomos në Termocentralin “Kosova A”, pas shpërthimit vitin e kaluar. Ne jemi në kontakt me menaxhmentin e KEK-ut që këto remonte të kryhen sa më shpejtë dhe më mirë, që të kemi kapacitete prodhuese stabile.

E jona si MZHE është që të lëvizim sa më shpejtë drejtë ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike, ku së fundmi kemi një kompani serioze amerikane e cila operon në katër kontinente dhe 17 shtete, që menaxhon më shumë se 40 termocentrale.

Me ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike do të kishim 600 megavatë orë energji elektrike, e me këtë do ta zgjidhnim për një kohë të konsiderueshme problemin e furnizimit me energji elektrike.

Përgjigja më e mirë në këtë drejtim është ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” dhe paralelisht të punojmë edhe në burimet e ripërtritshme dhe energjinë e efiqiente. Këto të dyja së bashku me kapacitetet e reja e mbulojnë kërkesën për rrymë si dhe ndikojnë që të jemi në linjë me politikat ambientaliste.

“Kosova e Re” zgjidh problemin…

Telegrafi: Kur do ta kemi fituesin e Termocentralit “Kosova e Re”?

Stavileci: Kemi hapur ofertën teknike dhe është bërë vlerësimi i saj si dhe kemi hapur ofertën financiare ku presim në fund të muajit mars vlerësimin e saj. Pas vlerësimit do ta diskutojmë në Komitetin drejtues për Kosovën e Re, dhe besoj që do të marrim vendime të cilat pastaj do t’i paraqesim për miratim në Qeveri.

Telegrafi: A mund të kenë ndikim nderimi i kapaciteteve të reja gjeneruese në tarifat e reja të energjisë?

Stavileci: Ne do të hyjmë në negocimin e marrëveshjeve të ndryshme si me operatorin që ka konkurruar dhe ka ofertuar po ashtu edhe me institucionet financiare të cilat do ta mbështesin projektin me dhënien e kredive drejtpërdrejtë këtij investitori.

Nga ajo që e dimë deri më tani nga vlerësimet teknike që janë bërë për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, nevojiten rreth 1 miliard euro, por po them se kostoja e saktë do të dihet vetëm atëherë kur do të bëhet tenderimi final për fazën e dytë.

Njëra që lidhet me ndërtimin e Kosovës së Re dhe tjetra me operimin dhe mirëmbajtjen e saj.

Në atë moment do ta dimë koston fikse të projektit, investitori është zotuar se 30 për qind të mjeteve do t’i investojë nga kapitali i tij, ndërkaq 70 për qindëshin do ta sigurojë nga hyrja në kredi.

Pasi t’i dimë këto komponente që i ka prezantuar në ofertën financiare investitori, koston e ndërtimit dhe mirëmbajtjes, atëherë do të dihet kostoja e përgjithshme. Nga kostoja e përgjithshme pastaj, do ta dimë se si do të reflektojë ajo në tarifat e energjisë elektrike në të ardhmen.

Telegrafi: A do të mund të mbyllen Termocentrali “Kosova A” më 2017, edhe nëse nuk do të kemi kapacitete të reja gjeneruese energjetike?

Stavileci: Ky proces dhe dekomisionimi i Termocentralit “Kosova A”, gjithnjë ka qenë në korelacion me komisionimin e kapaciteteve të reja energjetike. Natyrisht dinamika e TC “Kosova e Re”, do të ndikoj edhe te mbyllja e “Kosovës A”. Por pavarësisht kësaj, mendojmë se dekomisionimi i Termocentralit “Kosova A”, të fillojë nga vitit 2017.

Në mënyrë që këto dy procese të koordinohen, pasi që pa ndërtimin e njërës, është e pa mundur të mbyllet tjetra. Kjo duhet të ndodh shumë shpejtë pasi që mekanizmi për ciklin e punës në të, është vjetërsuar shumë.

Telegrafi: Në çfarë faze është ndërtimi i linjës 400 kilovoltëshe Kosovë-Shqipëri?

Stavileci: Në takimet në Shqipëri me ministrin e Energjetikes, Damian Gjiknuri, jemi dakorduar që të kalojmë në fazën e zbatimin të linjës interkonektive pasi gjërat kanë mbetur në letër të ndikuar edhe nga kriza gjashtë mujore në Kosovë. Ne do ta kemi një Komitet Drejtues, për ta themeluar tregun e përbashkët energjetik, e po ashtu edhe linja e interkoneksionit si dhe projekte energjetike nga të dyja anët e kufirit, do ta bëjmë më të mirën e mundshme për tu realizuar ato.

Strategji dhe fond për teknologji informative

Telegrafi: Sa do ta kemi rritjen ekonomike gjatë këtij viti?

Stavileci: Ne kemi disa institucione që bëjnë vlerësime profesionale rreth trendëve ekonomike. Ne besojmë që rritja ekonomike gjatë këtij viti të shkojë deri në 4 për qind. Por për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe vende të reja të punës duhet të lëvizim me reforma. Viteve të fundit në vazhdimësi kemi pasur rritje ekonomike prej 3 deri në 4 për qind. Parashikimet sillen rreth këtyre shifrave, të cilat vlerësoj se janë edhe parashikime reale ndonëse nuk janë të mjaftueshme.

Telegrafi: Papunësia, çfarë projektesh keni për të ulur papunësinë?

Stavileci: Përveç projekteve që ceka më lartë, kemi edhe projekte që besojmë që do ta rrisin punësimin.

Ne do t’i japim prioritet një sektori i cili nuk ka pasur prioritet në të kaluarën siç është teknologjia informative dhe teknologjia e komunikimit. Ky është një sektorë mjaftë atraktiv sidomos për të rinjtë. Ne kemi shumë shembuj qoftë të shteteve të mëdha, apo shteteve të vogla ku sektorin e IT-së, e kanë bërë mrekulli pasi kanë kontribuar në zhvillim ekonomike por edhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

Një dukuri tjetër që do të doja ta shoh tek të rinjtë, duhet që edhe studimi të përqendrohet në teknologji informative, pasi që këtu ka të ardhme. Ne si MZHE jemi në fazën e analizimit për krijimin e një Fondi për Teknologjinë e Informacionit, i cili do t’i këtë tri kritere bazë: Kriterin e Punësimit, inovacionit dhe kriterin e Edukimit.

Besoj se në fund të marsit do të dalim me një platformë konkrete, pasi jemi duke përgatitur “Strategjinë e IT”-së për herë të parë në vendin tonë dhe po ashtu do të fillojë një cikël konsultimesh me njohës të fushës dhe të rinj që nuk studiojnë për të kuptuar dhe shpjeguar se koncepti i zhvillimit ekonomik urban duhet të përqendrohet dhe orientohet te fusha e teknologjisë informative.

Blerand-Stavileci-intervista-foto-ridvan-slivova-01

Telegrafi: Procesi i privatizimit ka pasur kritika… si do të vazhdojë ky proces mjaftë kompleks?

Stavileci: Kemi trashëguar një proces që ka qenë i udhëhequr nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, tani e udhëheqë Agjencia Kosovare e Privatizimit, dhe me të mirat dhe dobësitë, që ka pasur si procesi në tërësi, ka ecur ndoshta jo gjithmonë të kuadër të pritjeve, por procesi ka pasur shembuj të mirë.

Ka ende një përqindje të ndërmarrjeve që nuk janë privatizuar dhe ideja jonë si Qeveri është që të shikojmë mundësinë më të mirë që ato të përdorën në mënyrën më të mirë të mundshme.

Së fundmi edhe kur kemi bërë plotësimin e ligjit për ndërmarrjet publike kemi lënë një mundësi që me propozim të Qeverisë dhe me miratim të Kuvendit, pronat e caktuara të ndërmarrjeve shoqërore të mund të shfrytëzohen për nevoja zhvillimore si të nivelit qendror po ashtu edhe atë komunal.

Në fushën e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimit, kulturës, si dhe me këtë do të bëjmë një kthesë pozitive.

Telegrafi: Cila do të jetë e ardhmja e AKP-së. A ka ndonjë vendim për mbylljen e saj?

Stavileci: Janë diskutuar të gjitha këto edhe mbyllja e AKP-së por nuk ka vendim konkret për këtë. Si partnerë të koalicionit besoj se do të pajtohemi si për Trepçën, Kosovën e Re, PTK-në.

Vullneti i të gjithë neve është që të kemi një program konkret të zhvillimit ekonomik. Sipas vendimit final edhe do të preken ligje me të cilat rregullohet veprimtaria e AKP-së apo pasuesve të AKP-së. /Telegrafi/

... (several lines of code) ...