AlbaChat
Këtu Bisedohet dhe Lexohet Shqip...

Politikanët serbë nuk marrin guximin ta pranojnë se Kosova është punë e kryer

0 88

Për herë të parë Kosova u prezantua si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e rajonit në Forumin Ekonomik të Vjenës, që u mbajt sot në Tiranë. Në këtë Forum morën pjesë Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina, ku të gjitha këto shtet u përfaqësuan nga kryeministrat e tyre.

Mirëpo, ajo që është më e rëndësishmja, për herë të parë në këtë Forum u diskutua për plane drejt Evropës, pa e anashkaluar edhe Kosovën si shtet. Madje as kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk u largua nga ky Forum për shkak të pranisë së kryeministrit kosovar Isa Mustafa, siç ishte raportuar me një ditë parë në medie.

Analistët kosovarë, këtë forum si të rëndësishëm për faktin se Kosova u radhit dhe u cilësua njësoj si të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Jon Leka thotë se ky forum apo edhe vizita e kryeministrit serb në Tiranë, Aleksandër Vuçiq, dha një mesazh paqeje pas vizitës së Edi Ramës në Beograd, pavarësisht që sipas tij, nuk ka ndodhur asgjë speciale në lidhje me raportet shqiptaro serbe.

“ Hiçgjë speciale në marrëdhëniet serbo shqiptare nuk ka ndodhur. Madje po të mos ishte kjo situatë e krijuar pas Kumanovës konferenca do të dilte edhe shumë më e zbehtë. E rëndësishme kjo Konferencë e Tiranës është për Shqipërinë dhe për politikat e BE-së në rajon. Pas vizitës së Ramës atje dhe aferës së „dronit“ Serbia dhe Shqipëria kanë pasur një presion intensiv nga ndërkombëtarët që edhe simbolikisht, para opinionit të manifestojnë rrugën evropiane, bashkë, në paqe dhe me dialog. Në këtë drejtim konferenca ishte e suksesshme, sepse Vuçiç dhe Rama rritën besueshëm ta transmetojnë një „ulje sëpatash“ nacionaliste në favor të dialogut”, ka deklaruar Leka për “Zëri”.

Po ashtu analisti Imer Mushkolaj, ka thënë se më e rëndësishmja është që Kosova në këtë Forum u prezantua si shtet i barabartë me shtete e tjera në këtë Forum.

“ E rëndësishmja është që Kosova është prezantuar si vend i barabartë me vendet e tjera në samit, pavarësisht paralajmërimeve që u bën se mbase zotëri Vuçiq do të lëshonte, do të mund të braktiste Forumin për shkak të pranisë së zotit Mustafa, por ne nuk e pamë një gjë të tillë. Përtej kurtuazisë për shkak se nuk kemi pritur që në fakt do të mund të zhvillohej si të them ndonjë takim bilateral ndërmjet dy kryeministrave, por prapë rëndësia më e madhe e Forumit është se Kosova u prezantua si shtet i barabartë me shtetet e tjera. Dhe natyrisht se do të jetë pjesë e projekteve siç është paralajmëruar, të cilat do të realizohen gjatë viteve të ardhshme”, ka thënë Mushkolaj për “Zëri”.

Mirëpo, përafrimi i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa me atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka qenë edhe tema kryesore në media gjatë ditës së sotme.

E për këtë, analistët thonë se Serbia herë do kur do ta njoh Kosovën. Madje ata thonë se politikanët serbë janë të vetëdijshëm që pavarësia e Kosovës është një proces i patjetërsueshëm, mirëpo, siç thonë ata, politikanët serbë nuk kanë guxim ta pranojnë publikisht këtë.

“Ne e dimë se zotëri Mustafa është takuar me zotëri Vuçiqin edhe në Bruksel, e do të vazhdoj të takohet me të dhe me të vërtetë do të ishte paradoksale që ai (Vuçiq), të largohej prej Forumit të Tiranës për shkak të zotëri Mustafës. Por, unë besoj se natyrisht zotëri Vuçiq është shumë i vetëdijshëm për pavarësinë e Kosovës, është shumë i vetëdijshëm se nuk ka kthim prapa, mirëpo për shkak edhe presionit shumë të madh publik atje (Serbi), edhe për shkak se i duhet që ky opinion ta mbështes shkaku i votave, natyrisht se ngurron ta ndërmarrë hapin që të thotë apo të jap sinjale mbase e kupton se Kosova e ka një status të pavarur. Kështu që nuk është hera e parë vetëm e Vuçiqit, por edhe në raste të tjera zyrtarë të tjerë të Beogradit e kuptojnë, janë të vetëdijshëm për gjendjen, situatën aktuale edhe statusin juridik të Kosovës, por nuk janë në gjendje ende që të shprehen haptazi lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar Mushkolaj.

Edhe analisti Jon Leka, ka thënë se Serbia deshi apo nuk deshi do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

“Serbia qëmoti është detyruar të ulet me qeverinë e Kosovës. Jo edhe vetëm sa për sy e faqe ky Forum nuk mund të konsiderohet, sepse ndodh në një moment kur Serbia ia kthen shpinën Rusisë. Kjo do të thotë se Serbia nuk ka rrugë tjetër përveç se të pranojë politikën euroatlantike e kjo do të thotë, deshi apo jo Serbia, nëse jo sot nesër edhe do ta njoh pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Leka. /Zëri/

... (several lines of code) ...