AlbaChat
Këtu Bisedohet dhe Lexohet Shqip...

Mosmarrëveshjet e qeveritarëve rreth liberalizimit të vizave

0 53

Kryeministri Isa Mustafa, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi e ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku kanë dhënë qëndrime të ndryshme sa i përket liberalizimit të vizave.
Shefi i Qeverisë ka thënë se liberalizimi i vizave do të ndodh brenda vitit 2015, ndërsa, Thaçi ka thënë se ikja e qytetarëve do ta dëmtojë këtë proces.

Shefi i Qeverisë, Isa Mustafa, ka deklaruar se liberalizimi i vizave mund të ndodhë në vitin 2015.

“Përkundër disa deklaratave që ne po i dëgjojmë, unë jam i bindur – dhe besoj se do të kemi. Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i përmbushim të gjitha detyrimet dhe t’i kryejmë detyrat që i kemi para BE-së. Të hyjmë në këtë proces, ta realizojmë këtë proces, të japim garancione të forta për këtë, por si parakusht i kësaj ne duhet t’i frenojmë migrimet të cilat tani i kemi, që ndoshta në pikëpamje të njerëzve të cilët po tentojnë që edhe në këtë mënyrë ta lëshojnë Kosovën”, ka thënë Mustafa, të mërkurën, për Radio Kosova.

E, ministri i Jashtëm Hashim Thaçi ka paralajmëruar se ikja masive e qytetarëve do të ndikojë për të keq në libearliazimin e vizave.

Në të njëjtën kohë, ky proces mund të shtyhet, ka paralajmëruar Thaçi.

“Këto ikje mund të ngjallin debat më të zëshëm edhe në Bruksel, por natyrisht se do të rrisin edhe përgjegjësitë dhe angazhimet tona si institucione të vendit. Mund të shtyjnë procesin e liberalizimit, por përsëri e theksoj, shoh një energji, shoh një potencial dhe shoh një përgjegjësi tek lidershipi kosovar, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal që të punojmë bashkërisht për parandalimin e këtij fenomeni negativ të dëmshëm edhe për shtet edhe për shoqëri, por në të njëjtën kohë të dëmshëm edhe në procesin integrues evropian”, ka thënë ai.

Derisa kryeministri Mustafa ka thënë se lëvizja e lirë e qytetarëve do të ndodh brenda vitit 2015, Bekim Çollaku ka thënë se nuk dëshiron të përfshihet në afatet se kur mund të ketë lëvizje në këtë drejtim.

“Kosova është në fazën përfundimtare të implementimit të të gjitha kërkesave që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe me plotë të drejtë presim që fundi i vitit të ardhshëm të sjell rezultate konkrete në këtë drejtim dhe kjo nënkupton një mundësi të jashtëzakonshme për qytetarët e Kosovës të cilët njësoj sikurse popujt tjerë të rajonit të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm dhe pa viza në vendet e Bashkimit Europian”, kishte thënë Çollaku.

... (several lines of code) ...