AlbaChat
Këtu Bisedohet dhe Lexohet Shqip...

Kastrati: FSK synon anëtarësimin në NATO

0 99

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) këtë vit për herë të tretë shpallet institucioni më i besueshëm i vendit, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, për çështje të profesionalizmit dhe gatishmërisë në detyrat dhe misionin e saj.
Mes të arriturave të tjera, për shkak të të cilave ka fituar besimin e qytetarëve, janë edhe disa trajnime të shkollimeve dhe ushtrimeve të ndryshme, për të cilat kanë ndihmuar edhe 114 ekspertë, përfshirë oficerë dhe nënoficerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa dhe shtete tjera të NATO-s.

Përmes këtyre aktiviteteve FSK-ja synim kryesor ka përafrimin në anëtarësim në Forcat Paqeruajtëse në NATO.
Këto i thotë, në një intervistë për KosovaPress, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant, Kadri Kastrati.

Arritja e qëllimit për pjesëmarrje në Forcat Paqeruajtëse të NATO-s brenda vitit të ardhshëm është një dëshirë e madhe, por edhe reale e FSK-së, thotë Kastrati, duke shtuar se tanimë janë bërë disa kërkesa në këtë drejtim.

“Kjo nuk është dëshirë e jona e parealizueshme, por është dëshirë reale që ne si Forcë e Sigurisë së Kosovës jemi të gatshëm dhe kemi bërë shumë kërkesa në drejtime të ndryshme që Forca e Sigurisë së Kosovës të mundet të marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse, operacionet humanitare e të tjera operacione të udhëhequra nga NATO, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian. Mirëpo, duke pasur parasysh që katër shtete të NATO-s nuk e kanë njohur Kosovën akoma i kemi disa vështirësi, por unë besoj që shumë shpejt do të tejkalohen. Mirëpo, ne shumë shpejt presim që edhe Parlamenti i Kosovës do të bëjë ndryshimet e kërkuara edhe Forca e Sigurisë së Kosovës do ta shndërrojë misionin e vet në mision ushtarak dhe pastaj do të hapen disa rrugë për të ecur përpara drejt këtyre obligimeve që ne me padurim i presim edhe jemi të gatshëm që t’i përballojmë të gjitha këto detyra që në të ardhmen na presin”, është shprehur ai .

Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës, është e gatshme për secilin rast emergjent dhe është e gatshme që në mënyrë profesionale t’u dalë në ndihmë, si institucioneve qendrore ashtu edhe autoriteteve civile.

I pyetur nga KosovaPress, se sa janë gjasat që në vitin e ardhshëm FSK të blejë armatime të rënda, Kastrati u shpreh se janë duke bërë gjithë përgatitjet, por jo vetëm për çështje të armatimit, por edhe për legjislacion, trajnime dhe infrastrukturë.

“Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për dy vite edhe me ekspertë kemi bërë përgatitjet e nevojshme që Forca e Sigurisë së Kosovës të evoluojë në forcë të armatosur. Kemi bërë një plan afatgjatë zhvillimor dhjetëvjeçar, ku nuk është vetëm çështja e armatimit, po edhe çështja e përgatitjes nga legjislacioni, doktrinat, trajnimet, infrastruktura, pajisjet dhe gjitha nevojat tjera që Forca e Armatosur nesër duhet t’i ketë bazuar në nevojat që dalin për këtë forcë e cila do t’i ketë katër detyra kryesore. Mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të vendit, do t’i ketë operacionet paqeruajtëse me dhënë kontribut në NATO dhe dy detyrat tjera do të jenë mbështetja e autoritetit, dhe sfidat e autoriteteve qendrore, çka nënkupton që do të jemi të gatshëm që jo vetëm në aspektin ushtarak, mirëpo do të jemi të gatshëm edhe për t’i dalë në ndihmë institucioneve brenda vendit në raste të ndryshme të katastrofave apo kudo që ka nevoje dhe për çkado që ka nevojë”, tha Kastrati.

Kastrati foli edhe për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur, duke thënë se gjitha rekomandimet janë dërguar në Qeveri.

Bashkëpunimi që FSK-ja, ka me vendet e huaja, sipas Kastratit është i shkëlqyeshëm dhe kjo dëshmohet edhe nga pjesëmarrja në shumë konferenca të ushtrive të Evropës. Ndërkaq, si partneritet më të fuqishëm Kastrati ka veçuar atë me Gardën Nacionale të shtetit Iowa të SHBA-ve. /Telegrafi/

... (several lines of code) ...