AlbaChat
Këtu Bisedohet dhe Lexohet Shqip...

Hollande i uron Jahjagës pranimin e Kosovës në Frankofoni

0 111

Me rastin anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, presidenti i Francës, François Hollande, i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidenti francez në letrën drejtuar presidentes Jahjaga shkruan se Kosova tashmë mund të mburret me shumëllojshmërinë gjuhësore, historike që ndihmon shumë në pasurimin kulturor dhe të ardhmen e saj në rajonin e qetësuar të Ballkanit

Më poshtë mund të lexoni letrën e presidentit të Francës:

Zonja Presidente,

“Dëshiroj të ju përgëzoj për anëtarësimin e Kosovës në cilësinë e vëzhguesit në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, me rastin e Samitit të 15-të të Frankofonisë që u mbajt në Dakar, më 29 dhe 30 nëntor 2014.

Vendi juaj do t’i bashkëngjitet familjes së 274 milion personave, të shpërndarë nëpër pesë kontinente dhe të bashkuar nga gjuha frënge dhe vlerat universale që ajo i mbart.

Kosova tashmë mund të mburret me shumëllojshmërinë gjuhësore historike që ndihmon shumë në pasurimin kulturor dhe të ardhmen e saj në rajonin e qetësuar të Ballkanit, e në veçanti falë perspektivës së saj evropiane dhe dialogut të angazhuar në mes të vendit tuaj dhe Serbisë që prej vitit 2011.

Aleanca Franceze e kryesuar nga Profesor Qëndrim Gashi i ka dhënë një shtytje të re gjuhës frënge në Kosovë. Ambasadat tona në Prishtinë dhe Paris angazhohen gjithashtu në mënyrë aktive për të shtrirë përdorimin e saj duke përforcuar bashkëpunimin politik, juridik, policor, kulturor dhe ekonomik në mes të dy vendeve tona. Megjithatë, mbetet shumë për të bërë.

Sinqerisht uroj që dhënia e statusit të vëzhguesit të jetë një rast për një angazhim konkret në favor të gjuhës frënge. Kjo shpresë ishte vendimtare në Dakar, atëherë kur u shqyrtua kandidatura e vendit tuaj.

E di që do të ndërmerrni çdo iniciativë të nevojshme për të shtytur mësimin e gjuhës frënge në sistemin tuaj shkollor dhe universitar, e në veçanti në lëminë e matematikës, kimisë dhe arkeologjisë. Arritjet e jashtëzakonshme të shkollës fillore Elena Gjika në Prishtinë, ku fëmijët zotërojnë frëngjishten, duhet të shërbejë si shembull. Njëkohësisht do të ishte e rëndësishme që mësimi i frëngjishtes të rigjallërohet nëpër shkollat e mesme dhe universitete, e madje edhe në shkollat profesionale. Kjo përpjekje e përbashkët do të ndihmonte në rritjen e numrit të bursave për studimet post-diplomike për studentët tuaj.

Gjithashtu më duket e dëshirueshme që në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, të angazhoheni në programin e trajnimit të zyrtarëve tuaj të lartë, në kuadër të marrëveshjes së mësimit të gjuhës frënge në Aleancën Franceze, siç është tashmë rasti me disa juristë, policë dhe zyrtarë të lartë. Sa i përket diplomatëve të vendit tuaj, Ambasada në Prishtinë po finalizon një projekt të bashkëpunimit me Akademinë Diplomatike.

Jam i informuar për dëshirën tuaj për të mësuar gjuhën frënge dhe ju konfirmoj gatishmërinë e qeverisë time për t’ua lehtësuar mësimin.

Ju siguroj se do të keni përkrahjen e plotë të Francës, në veçanti përmes aktiviteteve të ambasadës sonë në Prishtinë, për të përkrahur shtrirjen e frankofonisë në Kosovë.

Ju lus të pranoni, Zonja Presidente, shprehjen e konsideratës time më të lartë”. /Telegrafi/

... (several lines of code) ...