AlbaChat
Këtu Bisedohet dhe Lexohet Shqip...

Historia e dhimbshme e shqiptares që ishte martuar me “mësit”, edhe pse e dinte se burri i saj ishte pijanec e bixhozxhi!

0 311

Vera Canaj, nga Shkodra, rrëfen se është martuar me “mësi”, kur ishte 18 vjeç, edhe pse ajo e dinte që atëherë që bashkëshortit të saj, Pal, i kishte dal nami si pijanec, rrugaç e bixhozxhi.

“Për 18 vite nuk kam kaluar asnjëherë mirë, vetëm me dhunë, stres, vuajtje, skamje… Kam kaluar një jetë si në burg. Kur i kujtoj ato ditë, as vetë s’e di si kam arritur deri këtu. Pas vitit të parë të martesës nisi gjithçka”.

Arditi – Pse nuk u ndatë pas tre viteve dhunë, por bëtë fëmijë me të?

“Thashë se do binte. Të ishte babi gjallë nuk do të kishte arritur deri aty. Vëllai është frikacak, nuk është as për vete e as për ne”.

Vera rrëfen se e ka denoncuar shumë herë ish-bashkëshortin, por asnjëherë nuk është respektuar e drejta e saj sepse ai i kishte miq.

Më datë 21 Janar 2013, Vera u detyrua të hidhej nga kati i dytë i banesës së saj për t’i shpëtuar ish-bashkëshortit.

Ajo tregon se lajmëroi policinë, e cila e mori Palin dhe më pas edhe atë për të dëshmuar.

“Më thanë që nuk kam shenja, ndërkohë që unë e kisha trupin copë-copë. Ai tha që “është rrëzuar dhe ka thyer brinjën”, por jo! Ishte goditja e tij! Çdo gjë ma ka bërë në sy të fëmijëve, të cilët ishin të vegjël e më thonin të duroja”.

Vera thotë se 18 vite burg i bëri duke jetuar me ish-bashkëshortin dhe dy vite burg të vërtetë sepse pati një denoncim anonim kundrejt saj, duke e akuzuar se shfrytëzonte dikë për prostitucion. Ajo pretendon se gjithçka ishte një kurth për t’i marrë fëmijët. Prej 4 vitesh Vera është divorcuar dhe është shpërngulur në Tiranë për të jetuar e për të punuar.

Arditi – Kur bëhet divorci, a pyeten fëmijët se me kë duan të jetojnë?

“U pyetën, por ai me presionin që u bëri fëmijëve në korridorin e sallës, bashkë me avokatin e tij, një çoban, ma hoqën të drejtën e fëmijëve të mi. Fëmijët i kam takuar pa dëshirën e tij dhe i kam thënë dhe do vazhdoj t’i them që sido që të bëhet unë fëmijët do t’i takoj deri në pikën e fundit. Një herë kam lindur, një herë vdes për ta!”

Ajo rrëfen se fëmijët e saj prej 4 vitesh nuk shkojnë në shkollë sepse nuk kanë kushte. Djali i madh ka mbaruar klasën e nëntë në burgun e Kavajës sepse ishte burgosur për plagosje pa qëllim, një muaj pas arrestimit të saj, ndërsa djali i vogël ka kryer vetëm 5 vite shkollim.

Vera ka ftuar djemtë e saj, Alfredin dhe Arlandin, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E diela shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për t’u kërkuar që të largohen nga alkooli, duhani, droga dhe armët, e të fillojnë një jetë të re me kë të dëshirojnë ata.

Alfredi dhe Arlandi pranojnë ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vijnë në studion e “E diela shqiptare” për të parë se kush fshihet pas ekranit në mur. Ata buzëqeshin kur shohin të ëmën, Verën dhe rrëfejnë se i ka marrë shumë malli për të.