AlbaChat
Këtu Bisedohet dhe Lexohet Shqip...

Aleksandar Jabllanoviq rikthehet në Kuvendin e Kosovës

0 63

Aleksandar Jabllanoviq është kryetari i ri i Listës Serbe në Kosovë, raporton KiM Radio, transmeton Koha.net.

“Po, është e vërtetë se jam kryetar i Listës Serbe”, ka konfirmuar ai për “New Press”, pa dhënë hollësi më shumë.

Ai e zëvendëson kështu shefin aktual të Grupit të Deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe kryetarin e deritashëm të kësaj liste, Sllavko Simiqin.

Bëhet e ditur se janë kryer edhe formalitetet e nevojshme në KQZ.

Drejtoresha e zyrës për regjistrimin e subjekteve politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Miradije Mavriqi ka konfirmuar këtë ndryshim në përbërjen e Grupit Parlamentar të Listës Serbe.

Ajo ka thënë se është bërë pranim-dorëzimi i detyrës në krye të Listës Serbe nga kryetari i deritashëm i saj, Sllavko Simiq te Aleksandar Jabllanoviq.

“Çdo gjë është bërë sipas rregullave, legjitime e legale. Më herët, më 2015 Jabllanoviq kishte bartur autorizimet te Simiqi, ndërsa tash ato ia ka rikthyer vetes”, ka deklaruar Mavriqi, duke shtuar se kjo punë është kryer më 3 prill, transmeton Koha.net raportimin e medieve serbe.

Aleksandar Jabllanoviq është themelues i Listës Serbe, ndërsa funksionin e kryetarit e ka ushtruar deri më 23 tetor të vitit 2016, kur u ndërrua nga Qeveria e Republikës së Serbisë dhe në vend të tij u caktua Sllavko Simiqi.

Pas ndërrimit nga Lista Serbe, Jabllanoviq ka ushtruar funksionin e sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Punës të Qeverisë së Serbisë, por nga kjo detyrë u tërhoq pas arrestimit të vëllait të tij për posedim të drogës, i cili po shfrytëzonte automjetin zyrtar të kësaj ministrie.

Jabllanoviq një kohë të shkurtër ka qenë në krye të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, prej nga e shkarkoi kryeministri Isa Mustafa pas deklaratave që fyenin nënat gjakovare , të cilët ky i kishte quajtur “egërsira”. Ai u shkarkua nga ky funksion pas protestave kundër tij në tërë Kosovën.

... (several lines of code) ...